Kryeministri Haradinaj telefonon sekretarin Stoltenberg, i thotë se Ushtria votohet me 14 dhjetor

14:28 | 06 December 2018

Një ditë pas deklaratës të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se Kosova nuk është mirë ta votojë Ushtrinë dhe se ky veprim është i ngutshëm, kryeministri Haradinaj sot e ka telefonuar atë.

Në bisedën me Stoltenberg, Haradinaj e ka falënderuar NATO-n për kontributin që ka dhënë dhe po jep në Kosovë, ndërsa i ka konfirmuar atij se Ushtria do të votohet me 14 dhjetor.

“Sot zhvillova një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s z. Jens Stoltenberg.

Shpreha falënderimin tim dhe të popullit të Kosovës për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kontributin e NATO-s për një ambient të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Gjithashtu shpreha respektin dhe ndjenjën e thellë për shumë ushtarë të NATO-s që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë.

Duke shprehur mirëkuptim për qëndrimin e tij nga perspektiva multilaterale për procesin e tranzicionit, njëkohësisht e informova Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se Kosova është e përkushtuar për një proces të tranzicionit të FSK-së që do të sigurojë një ushtri profesionale, multietnike dhe kredibile në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky vendim sovran i Kosovës, i cili do të votohet më 14 dhjetor, përmban në vete vizionin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës që të ruajnë dhe mbrojnë vlerat perëndimore.

FSK do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjërë. Institucionet e Kosovës do të sigurohen të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me KFOR dhe NALT, pasi që ndajmë të njëjtat shqetësime të sigurisë, interesat dhe vlerat” shkruan Haradinaj në Facebook.

Komento: