Sot është 11 vjetori i themelimit të Kushtetutës së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se 11-vjet më parë është vulosur Kosova si shtet i pavarur dhe sovran.
Në 11-vjetorin e ratifikimit të Kushtetutës së Kosovës, Haradinaj, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Kushtetuta e Kosovës është mburojë e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe kulm i një shtëpie të përbashkët, të shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë.
Ja postimi i plotë i Haradinajt:
Qytetarët e Kosovës, kanë shkruar kapitujt e një Kushtetute moderne, me forcën e vullnetit të shprehur lirshëm, me të cilën normojnë të drejtat dhe obligimet në barazi.
Njëmbëdhjetë vjet më parë, përmes aktit më të lartë juridik-politik, u vulos Kosova si shtet i pavarur e sovran, një demokraci sovrane e shumë-etnike, e re në moshë, liberale në ide dhe Perëndimore në frymën e saj.
Kushtetuta e Kosovës është mburojë e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe kulm i një shtëpie të përbashkët, të shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë, mbi parimet e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë.
Urime Kosovë Dita e Kushtetutës!.