Kryeministri Haradinaj vlerëson lart arritjen e Kosovës në futboll

20:44 | 20 Dhjetor 2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, ku u shpallën edhe laureatët ër vitin 2018, mbajti një fjalim ara të pranishmëve.

Ai tha se, sot është një ditë që të falënderojmë brezat të sportit dhe veçanërisht të futbollit, që mbajtën gjallë atë nëpër të gjitha etapat e jetës.

“Siç i themi faleminderit Fadil Vokrrit, ndoshta një falënderim i posaçëm i shkon atij brezi, që mbajtën gjallë futbollin edhe pas viteve të ’90-ta”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se është me rëndësi që futbolli po rikthehet dhe ky vit e ka dëshmuar që Kosova po rikthehet në futboll, siç i ka hije, transmeton lajmi.net.

Më tutje, kryeministri Haradinaj, duke uruar që vitin që vjen futbolli të ketë edhe më shumë suksese, tha se Qeveria e Kosovës ka qenë e motivuar, e vendosur që të përkrahë sportin, si në rritjen e buxhetit për atë dhe investimet që po ndodhin në të gjitha stadiumet në Kosovë, thuhet në njoftim.

“Sporti e përbën një dimension shumë të rëndësishëm të të gjithë popujve, ndërsa për ne është shumë i rëndësishëm ky dimension i sportit, e veçanërisht ai i futbollit, që na ndihmon për kthimin në arenën ndërkombëtare, prezencën ndërkombëtare, që Kosova e ka shumë me rëndësi”, tha kryeministri Haradinaj.

Me nga një fjalë rasti përshëndeti edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, si dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili shprehu dhimbje, por edhe krenari për legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Me këtë rast u ndanë edhe çmimet për futbollistët më të mirë për vitin 2018. Shpallja e laureatëve për vitin 2018, është ngjarja më e madhe që e organizon Federata e Futbollit të Kosovës, ku shpërblehen dhe nderohen ata të cilët kanë dhënë kontribut në mënyra të ndryshme për futbollin.

Komento: