Kryeministri Haradinaj zbulon një tjetër arsye për të cilën do ta pezullonte taksën

21:06 | 14 March 2019

Haradinaj thotë se nëse do të na ftonte Presidenti Trump në takim, menjëherë do ta suspendonim taksën

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se taksa do të pezullohej menjëherë nëse do të kishte një kontratë që Serbia në fund të dialogut do të njihte Kosovën.

Haradinaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Kosova nuk ka problem bilaterale me Amerikën për shkak të taksës.

“Produktet e Amerikës kanë shumë alternativa për të arritur në Kosovë. Në fillim ndoshta ndonjë kompani ka pasur shqetësim por tashmë i kanë gjetur rrugët e veta”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryeministri ka thënë se duhet të jetë e qartë se taksa nuk do të largohet pa njohje, por sipas tij ekzistojnë mundësitë për t’u pezulluar ajo nëse është përgatitur një kontratë për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kur kam shkruar letrën e parë në kundërpërgjigje në planin ndërkombëtar për të treguar se Kosova nuk është bllokues e proceseve, kam thënë se nëse Presidenti Trump i fton palët, ne menjëherë e suspendojmë taksën pasi aty dihet ka diçka serioze – ka kontratë”.

Haradinaj ka thënë se Kosova nuk e ka mbyllur derën për taksën, por stërzgjatja e procesit të dialogut po i jep mundësi Serbisë t’i konsolidojë pozitat ndërkombëtare.

“Po u them amerikanëve dhe anglezëve të detyrojnë Serbinë të ndalojë blerjen e armëve në Moskë në vlerë të mallit që shet në Kosovë, po e shqyrtojmë edhe ne pozicionin tonë [për taksën]”, tha ndër të tjera Ramush Hardinaj.

Komento: