Kryeministri Hoti në Romë, takohet me kryeministrin e Italisë

17:11 | 04 Nëntor 2020

Hoti në Romë, takohet me kryeministrin e Italisë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shkuar për vizitë në Romë, ku është takuar me kryeministrin e Italisë, Guiseppe Conten.

Hoti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Italisë për avancimin e agjendës euro-atlantike të Kosovës. Kryeministri Hoti ka kërkuar nga Kryeministri Conte mbështetjen e Qeverisë së tij për ta shtyrë këtë proces përpara, në veçanti vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Hoti me homologun italian Conte kanë biseduar edhe për bashkëpunimin bilateral në fushën e mbrojtjes. Duke vlerësuar lart kontributin thelbësor të Italisë në misionin e KFOR-it, Kryeministri Hoti ka nënvizuar përkushtimin e Kosovës që në një të ardhme sa më të shpejtë të bëhet pjesë e Aleancës Veri Atlantike dhe ka kërkuar mbështetje për rritjen e kapaciteteve të FSK-së.

“Gjatë takimit me Kryeministrin e Italisë Giuseppe Conte, Kryeministri Hoti ka insistuar po ashtu në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe praninë më të madhe të investitorëve italian në Kosovë, përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë, mbrojtjen e investimeve dhe promovimin e turizmit”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Temë e veçantë diskutimi ka qenë bashkëpunimi Kosovë-Itali, në kohën që gjithë globi po përballet me pandeminë COVID-19. Hoti ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për ndihmën e grupit të mjekëve dhe infermierëve ushtarak italian që po qëndrojnë në Kosovë, në mbështetje të kolegëve të tyre, mjekëve kosovar, në luftën kundër koronavirusit. Ndërkohë që ka theksuar solidaritetin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës me familjet e viktimave nga COVID-19 në Itali.

Komento: