Kryeministri Hoti takon shefin e MCC’së në Washington, Korporata e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën

16:40 | 02 Shtator 2020

Hoti takon shefin e MCC’së në Washington, Korporata e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën.

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të vizitës zyrtare në Washington, ka takuar sot Drejtorin Ekzekutiv të Koorporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation- MCC), Sean Cairncross, njofton Zyra e Kryeministrit, raporton Gazeta Express.

Kryeministri Hoti ka thënë se Kosova është mirënjohëse për ndihmën e ShBA’së përmes projekteve të MCC’së.

“Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Kosovën, veçanërisht edhe nëpërmjet programit të MCC-së që mbështet përpjekjet e qeverisë për reforma në fusha të ndryshme”, ka thënë ai.

Kryeministri Hoti tha, po ashtu, se Qeveria e Kosovës e vlerëson shumë angazhimin e MCC-së në procesin e përfundimit të Programit Kompakt për Kosovën dhe se është shumë e rëndësishme të theksohet se projektet e përfshira në zhvillimin e programeve “Kompakt” dhe “Threshold” identifikohen bashkërisht nga stafi i MCC-së dhe Qeveria e Kosovës dhe si të tilla, këto programe mbështeten plotësisht nga Qeveria.

Duke falënderuar SHBA-të dhe MCC-në për mbështetje të vazhdueshme, kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës, duke ditur rëndësinë që kanë projektet e MCC-së për zhvillimin ekonomik të vendit, përmbushjen e nevojave afatgjate dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike, përmirësimin e ndotjes së ajrit dhe çështje të tjera, do të jetë e përkushtuar për plotësimin e kushteve dhe realizimin sa më të shpejtë të projekteve.

Në këtë takim Hoti ka thënë se përkundër pandemisë, qeveria ka paraprë ndarjen e 10 milionë eurove si garanci kreditore për sektorin privat.

“Kryeministri Hoti, me këtë rast, tha se përkundër situatës së rënduar nga pandemia COVID-19, Qeveria ka ndërmarrë hapat konkretë për përmbushjen e reformave të nevojshme dhe për programin e rimëkëmbjes ekonomike ka paraparë ndarjen e 10 milionë eurove si garanci kreditore për sektorin privat dhe energjinë e ripërtëritshme, si dhe përkrahjen e projekteve për gratë ndërmarrëse”, ka thënë ai.

Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i MCC-së, z. Cairncross ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim të mëtutjeshëm me Qeverinë e Kosovës në implementimin e projekteve prioritare, të cilat do ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe mundësojnë realizimin e granteve të MCC-së për shoqërinë civile në projektet e ndryshme.

Komento: