
Hoti: Me Lajçakun i kam definuar disa çështje, kam mbështetjen e liderëve, do të raportoj edhe në Kuvend.
Kryeministri Avdullah Hoti pas takimit me liderët e partive ka bërë të ditur se iu ka prezantuar përfaqësuesve të subjekteve platformën për dialogun, derisa, ka bërë edhe njëherë thirrje për opozitën që të takohen për këtë çështje.
“Sapo e kemi kryer takimin e parë të Forumit të Liderëve, në bazë të platformës që e kemi propozuar publikisht si qeveri. I falënderoj liderët që sot ishin në takim, të gjithë i dhanë mbështetje qasjes që i kemi si qeveri, parimeve që i kemi vendosur, transparencën që do të sigurojmë gjatë gjithë kohës me këtë proces. Ekipin do ta funksionalizojmë së shpejti. Ne jemi gati që të ulemi në dialog, me një qëllim të vetëm, marrëveshje që nënkupton njohje. Kemi marrë vendime të rëndësishme gjatë këtyre dy javëve për të vendosë pozicionin e shtetit në një pozitë më të favorshme, shkojmë besim plotë në këtë proces që tani dihet që do të ndodhin. Kemi pas për dy javë takime intensive. Së shpejti për platformën do të raportoj edhe në Kuvend, besoj që të martën e ardhshme do të prezantoj platformën, do të kërkoj formimin e komisionit për dialog që të mbikëqyrin procesin, unë ftoj partitë opozitare që të marrin rolin e tyre mbikëqyrës. Unë kam dërguar ftesa dje te të gjithë, do të ju qasem edhe në ditët e ardhshme, ku do që ta shohin të nevojshme që të takohemi për t’i njoftuar për qasjen që ka qeveria. Ju siguroj që në këtë transparencë të plotë ne do t’i dalim ballë”, ka thënë Hoti, derisa ka shtuar se do të vazhdojë konsultimet me partitë politike.
I njëjti ka bërë të ditur se në takimin e sotëm nuk kanë shkuar përfaqësues të Listës Serbe.
“Ftesa ka qenë si kryeministër i vendit në bazë të mandatit për të udhëhequr dialogun që të konsultohem me kryetarët e partive. Unë kam pas takime individuale me të gjitha partitë, në këtë takim nuk ishin”, shtoi ai.
Kryeministri ka thënë se sot në mëngjes e ka pasur një takim pune me të dërguarin e BE’së në dialog, Miroslav Lajçak.
“Kam pasur një mëngjes një takim pune me z.Lajçak ku kemi definuar disa çështje. Sot pasdite unë do të takoj të gjithë ambasadorët e BE’së për të diskutuar për platformën”, tha ai, duke shtuar se në Uashington ai udhëheq dialogun.
“Agjenda e Uashingtonit besoj që do të bëhet e qartë para se të shkojmë atje. Në proces të dialogut Kosova përfaqësohet nga kryeministri dhe nga delegacioni që unë e shoh të rëndësishme. Në emër të Kosovës flas unë, kompetencat kushtetuese janë të qartë”, shtoi i njëjti.