Kryeministri irlandez përmend heqjen e masave ndaj Kosovës dhe formimin e Asociacionit

11:20 | 11 Janar 2024
kryeministri-irlandez-permend-heqjen-e-masave-ndaj-kosoves-dhe-formimin-e-asociacionit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot me ceremoni shtetërore homologun e tij irlandez, Leo Varadkar.

Pas takimit, Kurti dhe Varadkar folen përpara mediave lidhur me temat të cilat i diskutuan në takimin e mbyllur.

Kurti tha se Irlanda ështe “kampione dhe shembull i demokracisë që qëndrin si testament i forcës së unitetit”.

Sipas Kurti, Irlanda është frymëzuese për Kosovën, për shkak te pikëpamjeve të përafërta, për shkak të vështirësive të ngjashme që kanë kaluar.

“Irlanda është mbështetëse për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, teksa kemi siguruar edhe mbështetjen për pozitën e shtetit kandidat për anëtarësim në BE”, tha Kurti.

Në anën tjetër, kryeministri i Irlandës tha se kanë pasur një takim konstruktiv me Kurtin, duke folur për interesat e përbashkëta të dy vendeve.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Irlanda është në mesin e shteteve të para që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Do ta vizitoj KFOR-in dhe trupat e OKB-së më vonë. Bashkë kemi biseduar për vlerat evropiane dhe avansimin e demokracisë” tha ai.

Duke folur për dialogun, Varadkar tha se shpreson që të ketë progres dhe të rregullohen një herë e përgjithmonë mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Kurtit, marrëdhëniet normale me Serbinë janë të nevojshme për rrugëtimin evropian. Ai thotë se së paku 8 nga nenet e marrëveshjes bazike janë shkelur nga ana e Serbisë, prandaj edhe po insistojnë për nënshkrim të marrëveshjes.

Lidhur me këtë, sipas Kurtit, Bashkimi Evropian ka një rol të rëndësishëm arbitrues në këtë mes.

Ndërkaq, kryeministri irlandez thotë se është e nevojshme që të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës dhe te formohet Asociacioni, por jo edhe të krijohet një shtet me kompetenca ekzekutive brenda shtetit të Kosovës.

Komento: