Kurti bashkë me ambasadoren kroate e vizitoi Janjevën për ditën e Krishtlindjes.
Në ditën e Krishtlindjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi fshatin Janjevë.
Në njoftimin e qeverisë thuhet se fillimisht kryeministri takoi famullitarin e kishës së Shën Kollit në Janjevë, Don Matej Paliq si dhe ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.
Ata biseduan për historikun e komunitetit kroat në një fshat të bukur si Janjeva, fshat ky i vizituar dhe nga Nëna Terezë në vitin 1981, e i cili njihet edhe për bashkëjetesën e shkëlqyer mes komuniteteve.
Gjatë këtij takimi u diskutua dhe për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit për të kontribuar në zhvillimin e Janjevës, dhe në rritjen e mirëqenies së komunitetit kroat dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në Janjevë.
Pas takimit, Kurti mori pjesë dhe në meshën e mbajtur në kishën e Shën Kollit në Janjevë, ku takoi qytetarët e komunitetit kroat dhe shqiptar, dhe u uroi festën e Krishtlindjes.