Kryeministri Kurti flet për ngritjen e çmimeve: Po punojmë për pakon e masave si ndihmë për qytetarët

12:18 | 26 October 2021

Kurti për ngritjen e çmimeve: Po punojmë për pakon e masave si ndihmë për qytetarët.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për ngritjen e cmimeve me të cilat po përballën qytetarët ditëve te fundit.

Kurti thotë se edhe Kosova sikurse gjithë bota i është ekspozuar një inflacioni.

“Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vie si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave”.

“Shkalla e inflacionit sipas Agjencisë së Statistikave në fund të muajit shtator ishte 4.9%, gjë që është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte”.

Kurti mes tjerash bën të ditur se janë duke punuar për një pako masash si ndihmë për qytetarët.

“Paniku dhe pritjet se do të ketë rritje çmimesh, ndikojnë në blerje të shtyera nga frika, gjë që pastaj rezulton në mungesë të produkteve në rafte, e rrjedhimisht edhe në ngritje të mëtutjeshme të çmimeve. Një gjë të tillë kishin tentuar ta bëjnë edhe në fillim të pandemisë COVID-19 vitin e kaluar, me çmimin e miellit. Atëherë ne kishim bërë thirrje për qetësi, dhe kishim garantuar se askush nuk do të mbetej pta bukë. Ashtu edhe doli. Mirëpo, shumë qytetarë kishin përfunduar me sasi mielli nëpër shtëpitë e tyre, të blerë me çmim dy e trefish nga frika e mungesës së miellit dhe rritjes së çmimit. Fituesit e vetëm atëherë dolën të ishin tregtarët”.

“Të njëjtën gjë, pra qetësi e durim, po u kërkoj edhe tani teksa po punojmë që ditëve në vijim të kemi një pako masash që u vijnë në ndihmë qytetarëve”.

Mes tjerash kryeministri Kurti u është kundërpërgjigjur të gjithë atyre që po fajësojnë qeverinë për ngritjen e çmimeve.

“Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate e cila trumbeton çdo ditë për rritje çmimesh dhe tenton të fajësojë Qeverinë për këtë. Kjo, në njërën anë, synon t’ua shtrojë terrenin manipuluesve për të ngritur çmimet me pretekstin se tani jemi në një ambient ku secili çmim duhet të ngritet, pavarësisht se a ka ngritje të kostos apo jo, ndërsa, në anën tjetër, tenton të nxisë nervozë e panik te qytetarët”.

“Kurse ata që po fajësojnë Qeverinë tani, kurrë nuk e kanë pasur brengë çmimin e bukës, e as hallet e qytetarëve. Përndryshe do të kishin reaguar me kohë kur zaptohej toka bujqësore. Për 10 vite, më se gjysmë miliardë euro të taksave i kanë shpenzuar për bujqësi, e produktiviteti bujqësor ka pësuar rënie, sepse subvencionet nuk u shkonin bujqve por xhepave të miqve të tyre”, ka shkruar Kurti në një status.

Komento: