Kurti për propozimin franko-gjerman: Aty e kemi njohjen de-facto nga Serbia.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se plani franko-gjerman parasheh njohjen de facto mes Kosovës dhe Serbisë.
Por ai thekson se ky plan është më tepër një marrëveshje bazike që synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk është një marrëveshje finale.
Kurti tha se ka qenë kërkesë e ndër,ketësve evropianë që plani franko-gjerman të mos bëhet publik.
“Është kërkesë e ndërmjetësve europianë, emisarëve nga Brukseli, Parisi dhe Berlini, që pa pasur një hap konkret drejt pranimit të tij të mos ketë zbardhje të plotë të përmbajtjes së tekstit”.
Kurti tha se ky plan është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës-Serbisë.
“Herën e parë kur na e kanë sjellë më datë 9 Shtator, nuk ka qenë merre ose lëre. Ndërkaq më datën 20 janar, për shkak se kishin kaluar shumë kohë, për bindjen time pa nevojë, kemi mundur që të takohemi më shpesh, më herët, të bëjmë më shumë, ishte shumë afër merre ose lëre. Prandaj unë siç kam thënë edhe në Shtator, e përsërita në Janar, që është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”.
Kurti tha se plani franko gjerman është pranuar në parim, por se duhet të negociojmë.
“Ne e pranojmë në parim, duhet të negociojmë dhe më pas duhet ta shndërrojmë atë propozim në marrëveshje sepse ka shumë gjëra ende të padefinuara. Sidomos sa i përket garancive ndërkombëtare, mekanizmave implementues, dhe sekuencimin kohor”.
Tutje, kryeministri kosovar tha se ky plan e ka njohjen de facto mes dy vendeve.
“Nuk është i menduar si një propozim për marrëveshje finale. Por është një normalizim që ende nuk është normalizim i plotë, meqenëse parasheh, mund të themi, njohjen de facto. Njohjen de facto e kemi aty”.
“Është më tepër një marrëveshje bazike, e cila bën normalizim e marrëdhënieve, jo normalizim të plotë. Me marrëveshje që është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e obligueshme, ndonëse jo finale”, shtoi Kurti.