Kryeministri Kurti: Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik ndonjëherë

23:00 | 16 May 2023

Kurti: Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik ndonjëherë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Projektligji për Fondin Sovran së shpejti do të miratohet në Qeveri.

Me deputetë të partisë së tij, aktivistë e ekspertë, Kurti ka diskutuar të martën për atë që ai e ka quajtur bërthama e sovranitetit ekonomik të vendit.

“Projektligji që tashmë ka kaluar edhe konsultimet publike, shpejt do të miratohet në Qeveri. Sot në sallën 506 të mbushur plot, para deputetëve të grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aktivistë e ekspertë të pavarur, së bashku me anëtarë të kabinetit të qeverisë, e përkrah anëtarëve të grupit punues për hartimin e koncept-dokumentin, në krye me profesorin Besnik Pula dhe grupin punues juridik të drejtuar nga koordinatorja Rrezarta Pllana, prezantuam e diskutuam për atë që do të jetë bërthama e sovranitetit tonë ekonomik”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se ndërmarrjet publike do të bartën nga Qeveria në Fond, çka sipas tij do të rrisë mundësinë e investimeve.

“Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kjo e bën qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur, duke na vendosur në hartën e tregjeve botërore financiare”, ka thënë Kurti.

Komento: