Kryeministri Kurti jep detaje për vizitën njëditore në Gjermani

09:27 | 15 October 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar për vizitë njëditore në kryeqytetin gjerman, Berlin.

Gjatë kësaj vizite, në kuadër të Kongresit të 30-të të Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë, Kurti u takua me shumë figura politike të rëndësishme gjermane dhe jo vetëm, përfshirë dhe kancelarin Olaf Scholz.

Postimi i Kurtit:

“Me guxim. Për Evropën” është slogani i Kongresit të 30-të jubilar të Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë – PES Congress 2022

Në qëndrimin njëditor në Berlin, takova dhe bisedova me deputetë, ministra e liderë të partive socialdemokrate.

Z.Stefan Löfven i urova pozitën e re si President i PES, kurse e falënderova z.Sergei Stanischew për kontributin e tij si President i deritanishëm.

Me z.Lars Klingbeil, bashkëdrejtues i Partisë Social Demokrate gjermane, biseduam për rëndësinë e bashkëpunimit midis subjekteve tona politike dhe atij rajonal në kuadër të procesit të Berlinit.

Në përmbyllje të Kongresit, isha i nderuar të marr pjesë në darkën e liderëve, krahas prijësve të shteteve dhe qeverive evropiane, komisionerëve evropianë, udhëheqësve të partive dhe përfaqësuesve të tjerë nga kontinenti ynë.

Në këtë kongres të partive socialdemokrate, me të cilat Lëvizja VETËVENDOSJE! është e afiliuar, sot u diskutua për politikat si përgjigje ndaj ndryshimeve në sigurinë ndërkombëtare, rritjen e çmimeve të energjisë dhe inflacionin, krizën e shkaktuar nga Covid, ndryshimet klimatike dhe sfidat sociale në Evropë.

Komento: