Kurti jep disa detaje të planit franko-gjerman dhe tregon çfarë foli me Vuçiqin për Asociacionin.
Kryeministri Albin Kurti ka treguar për gazetën austriake, Der Standard diçka nga propozimi franko-gjerman për arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe për disa biseda që i kishte pasur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq rreth Asoaciacionit të komunave me shumicë serbe, përcjell Gazeta Express.
I pyetur se cila do të ishte pjesa më e rëndësishme e një marrëveshjeje të mundshme me Serbinë, Kurti tha se në propozim ka edhe diçka nga marrëveshja e dy Gjermanive e vitit 1972.
“Në propozim janë përfshirë disa nga paragrafët e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972. Por Willy Brandt shkoi paraprakisht në Varshavë dhe kërkoi falje. Dhe marrëveshja ishte e mundur sepse dy Gjermanitë morën një vend në OKB nëntë muaj më vonë. Por me Rusinë dhe Kinën, ne nuk kemi një shans të tillë. Por bëhet fjalë edhe për faktin se pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën duhet të jenë gjithashtu aty”, ka thënë Kurti.
Atmosfera është shumë pozitive, tha Kurti, por shtoi se “nuk ka hapa konkretë” për njohjen nga kërto pesë vende, me përjashtim të Greqisë.
Ai foli gjatë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Fillimisht e shpjegoi qëndrimin e tij tashmë të njohur se atë s’e lejon Kushtetuta, duke cituar paragrafin e parë të planit të Ahtisaarit se “Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike”.
“Kur bëhet fjalë për Asociacionin Serb të Komunave, dua t’i referohem edhe Bosnjë-Hercegovinës. Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe atje u bashkuan dhe themeluan një asociacion; më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë dhe më 28 shkurt 1992 miratuan kushtetutën”, tha ai.
Ai tha se “nuk kam frikë”, sepse tha se e di se kjo “është një qëllim shumë i qartë” i Serbisë.
Kurti dha detaje edhe nga një bisedë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Vuçiqit i thashë se kam krijuar përshtypjen se ai nuk e dëshiron asociacionin e komunave, sepse nuk mund të duash asociacion të komunave dhe ta thuash çdo javë: Nuk do ta njoh shtetin e Kosovës. Ju nuk mund të shërbeni një makiato kafeje pa një filxhan kafeje. Por të drejtat e pakicave janë një pjesë shumë e rëndësishme e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Pra, kur të arrijmë në atë pikë, Serbia mund të bëjë një propozim se si ta zgjidhë atë. Po kështu do të mund të bëjmë propozime për çështje që i konsiderojmë të rëndësishme për pakicat në Serbi”, tha Kurti.
Tani, duke ndjekur planin e Francës dhe Gjermanisë, ai tha se “kemi hyrë në një fazë të re”.
“Në plan ka një paragraf për të drejtat e atyre që nuk i përkasin shumicës. Ju mund ta përfshini atë në këtë paragraf. Dhe brenda bisedimeve të normalizimit të plotë, ne mund të flasim për këtë”, tha ndër tjerash kryeministri i Kosovës.
Ai tha se po bashkëpunon ngushtë me ndërkombëtarët, por tha se “nuk ndjej se më trajtojnë njësoj”.
“Perëndimi ka njëfarë frike nga potenciali destabilizues i Serbisë – dhe nga ana tjetër, ekziston naiviteti të mendosh se Serbia mund të detyrohet të kthehet përsëri në Perëndim së shpejti”, tha Kurti.