Kryeministri Kurti mbledh partnerët e koalicionit me 14 shkurt, thotë se mbahen bashkë edhe dy vite pas fitores

20:32 | 14 February 2023

Kurti mbledh partnerët e koalicionit me 14 shkurt, thotë se mbahen bashkë edhe dy vite pas fitores.

Liderët e VV-së dhe Listës Guxo janë bërë bashkë në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në dy-vjetorin e fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Në zyrën ishin ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, ministri i bujqësisë, Faton Peci, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, shefi i grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila dhe Kurti. Fotoja është shpërndarë nga kryeministri në rrjetin social Facebook.

“Bashkë sot, sikurse me 14 shkurt 2021, sikurse në secilën ditë të këtyre dy viteve. Bashkë përballë sfidave e detyrave që kemi përpara. Me përkushtim që nuk zbehet. Me përgjegjësi që rritet“, shkroi Kurti.

“Fitorja e madhe e shkurtit ishte ndryshe, sepse ishte vetë ndryshimi demokratik. Ishte fitore, sepse fituan qytetarët dhe e gjithë shoqëria. Ajo na rikujton më së miri vullnetin dhe pritjet e popullit, të cilit do t’i shërbejmë çdo ditë me përpikmëri dhe devotshmëri. Bashkë deri në realizimin e plotë të zotimeve tona për punësim dhe drejtësi”, shtoi ai.

VV fitoi zgjedhjet e vitit 2021 me mbi 50% të votave, duke u bërë lista e parë zgjedhore në historinë e zgjedhjeve të Kosovës që fiton mbi gjysmën votave. VV në lsitën e saj kishte përfshirë edhe Listën Guxo, që atë kohë kishte kryetare presidenten e tanishme, Vjosa Osmani, dhe subjektin Alternativa.

Komento: