Kryeministri Kurti në takim me BERZH-in: Një partner i çmuar në udhëtimin e vështirë të tranzicionit

23:04 | 22 June 2021

Kurti në takim me BERZH-in: Një partner i çmuar në udhëtimin e vështirë të tranzicionit.

Rëndësia e mbështetjes së mëtejme të projekteve zhvillimore ishte tema kryesore e takimit virtual që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi me presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odile Renaud-Basso.

Duke uruar për 30 vjetorin e BERZH-it, Kurti theksoi se gjatë tri dekadave, BERZH-i ka qenë një partner i çmuar për shumë vende në udhëtimin e vështirë të tranzicionit.

Po ashtu, Kurti ka thënë se gjatë viteve të kaluara, BERZH ka qenë partner i pazëvendësueshëm për Kosovën, si për sektorin publik ashtu edhe atë privat, për çfarë Kurti falënderoi menaxhmentin e BERZH-it, veçanërisht zyrën rajonale në Kosovë.

“Në përgjigje të situatës me pandeminë COVID-19, përveç mbështetjes afatshkurtër emergjente, Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh BERZH-in si një partner të rëndësishëm edhe për rimëkëmbjen e ekonomisë”, u tha në takim.

Përfaqësuesit e BERZH-it u shprehen të hapur për vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e mëtutjeshme për sektorin privat, përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, sektorin e energjisë dhe integrimin rajonal.

Kurti takimin e mbajti bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Komento: