Kryeministri Kurti në takim me Peach, në qendër të diskutimeve raportet e Kosovës me Serbinë.

19:34 | 24 October 2022

Kurti në takim me Peach, në qendër të diskutimeve raportet e Kosovës me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach. ZKM, përmes një komunikate për media, ka treguar se çka është folur në këtë takim.

Disa nga temat e takimit ishin “angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër, zbatimi i udhërrëfyesit për energji dhe çështjet aktuale”.

Në këtë takim, sipas ZKM-së, Sir Stuart Peach “ritheksoi përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor, si dhe për nismat për bashkëpunim rajonal”.

Ndërsa, Kurti ka “ritheksuar synimin dhe angazhimin e Qeverisë” për anëtarësimin në BE dhe NATO.

“Duke theksuar rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Kryeministri Kurti ritheksoi synimin dhe angazhimin e Qeverisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, thuhet në komunikatë.

Pjesë e bisedës kanë qenë edhe pasojat ekonomike dhe energjetike të agresionit rus në Ukrainë, derisa u fol edhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak rus në Ukrainë, u theksuan pasojat ekonomike dhe energjetike të agresionit rus. Kryeministri Kurti e njoftoi emisarin Peach për masat e ndërmarra nga Qeveria, në mbështetje të qytetarëve, nëpërmjet Pakos për Përballje me Inflacionin si dhe asaj të Ringjalljes Ekonomike. U bisedua për bashkëpunimin rajonal dhe Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Po ashtu, u fol dhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor “The Ëestern Balkans Summit 2022”, organizim i The Economist, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, që do të mbahet nesër në Prishtinë”.

Komento: