Kurti nga Samiti i Ballkanit Perëndimor: Lista e pronarëve të vilave në Brezovicë, ishte tronditëse.
Kryeministri, Albin Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, ka deklaruar se epokës së korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Kosovë është duke i ardhur fundi.
Ai foli edhe për punën e qeverisë gjatë 1 vit e gjysmë, duke treguar edhe të arriturat.
Kurti përmendi edhe aksionin e prokurorisë në Brezovicë, sipas tij lista e pronarëve të vilave në Brezovicë ishte tronditëse, por jo befasuese.
“Me demokraci nënkuptojmë krijimin e shteteve funksionale. Qeveria jonë e ka marr mandatin para dy vitesh dhe esenciale për demokracinë është sundimi i rendit dhe ligjit. Me Qeverinë tonë Republika ka bërë përparime shumë, jemi ngritur në indeksin e luftës kundër korrupsionit”, tha Kurti teksa përmendi edhe aksionin e prokurorisë në Brezovicë.
“Autoritetet ligj zbatuese kanë ndërmarrë 800 operacione policore ndaj krimit dhe korrupsionit dhe kanë arrestuar mbi 2000 njerëz duke përfshirë afërsisht 300 zyrtarë publikë e shtetërorë. Kanë shkatërruar 68 banda kriminale dhe kanë konfiskuar mbi 1.8 milionë drogë, 75 villa të sekuestruara për shkak të ndërtimit të paligjshëm dhe lista e pronarëve ishte tronditëse por jo befasuese – gjyqtarë të nivelit të lartë, biznesmenë të pasur, politikanë dhe të afërmit e tyre”, tha Kurti.