Kurti s’i sheh problem shtetet e BE-së që s’e njohin Kosovën: S’besoj që do të jenë kundër anëtarësimit tonë.
Kryeministri Albin Kurti nuk e konsideron problem në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, faktin që pesë vende anëtare të Unionit ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Shefi i qeverisë kosovare e dorëzoi të enjten aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe nga Praga tha se nuk beson që në këtë çështje Kosovës do t’i dalë problem me shtetet mosnjohëse, raporton Gazeta Express.
“Siç e dimë, kur e kemi nënshkruar MSA-në, pesë shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ishin dakord dhe nuk besoj që pakica e shteteve anëtare të BE-së të cilat ende nuk e njohin pavarësinë tonë do të jenë kundër nesh që t’i bashkohemi familjes europiane”, tha Kurti.
Paraprakisht, ai tha se nuk do të kërkojnë rrugë alternative për anëtarësim në BE dhe se do të angazhohen që t’i zbusin zërat skeptikë.
“Me përkushtimin tonë, edhe ndonjë zë skeptik në Bashkimin Europian lidhur me Kosovën besojmë që do ta zbusim e do ta ndryshojmë”, tha Kurti.