Kurti shprehet optimist për marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur optimist për marrëveshje në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.
Ai këtë deklaratë e bëri në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, duke shtuar se ky dialog s’duhet të shërbejë vetëm për menaxhim krizash por edhe për marrëveshje.
“Jam optimist për dialogun në Bruksel. Dialogu s’duhet të shërbejë vetëm për menaxhim krizash, por dialogu duhet të jetë për marrëveshje. Jemi futur në fazë të re që prej 18 gushtit të këtij viti, është fazë e re, sepse tema e parë në zyrën e z. Borrell në Bruksel ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Pra, dialogimi për marrëveshje, do të diskutojmë për kornizë”, është shprehur Kurti.
Ai tha se nuk është që s’do të ketë pika të tjera në marrëveshje, por pjesa qendrore do të jetë njohja e ndërsjelltë.
“Jam shumë optimist. Në të kaluarën, kur njohja e pavarësisë së Kosovës, ishte një qasje motivimi për zvarritje. Nëse i thoni Serbisë pavarësia vjen në fund, e inkurajoni ta shtyjë fundin. Nuk them se nuk do të ketë pika tjera në marrëveshje, por pjesa qendrore do të jetë njohja e ndërsjelltë. Kjo qasje e re, me agjendën e re në Bruksel ku synojmë të kemi kornizë të përgjithshme të marrëveshjes, më bën mua optimist për muajt që kemi përpara për arritje të një marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, ka vazhduar ai.