Kurti ‘përballet’ me Hovenier një ditë pas kërkesave amerikane për targat e Asociacionin.
Kryeministri Albin Kurti e Ambasadori i SHBA’së Jeff Hovenier kanë marrë pjesë sot në në Samitin e Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor në Prishtinë. Mbrëmë, ambasada e SHBA’së, në një përgjigje për Gazetën Express, i ka kërkuar Qeverisë që të ndalet ndëshkimi i serbëve me targa KM dhe të zgjatet afati për kalim në targa RKS, sipas kërkesës së QUINT’it. Po ashtu, Ambasada amerikane ka kërkuar që të nisin menjëherë negociatat për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Kurti ka paralajmëruar sot një konferencë për media, ku pritet të flasë për zhvillimet e sotme dhe gjatë fundjavës në Veriun e Kosovës.
Deputetët e Listës Srpska të hënën dorëzuan mandatet e deputetit, ndërsa dje kryetarë të katër komunave në Veri të Kosovës, bashkë këshilltarë komunalë u larguan kolektivisht nga detyrat e tyre. Po ashtu serbët u dorëhoqën edhe nga gjyqësori, policia e administrata.
Mbrëmë, në një përgjigje për Gazetën Express, një zëdhënës i Ambasadës së SHBA’së në Prishtinë tha se “Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë tejet shqetësuese dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Po ashtu SHBA bëri të ditur se “tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje”.
Ambasada Amerikane kërkoi nga të gjitha palët e përfshira të ulin tensionet duke mos përdorur retorike nxitëse.
“Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshme dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”.
Tutje, Ambasada amerikane u kërkoi serbëve të Kosovës që të kthehen në institucione, duke përfshirë edhe forcat policore.
“Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”.
Qeverisë iu kërkua që ta shtyjnë procesin e ri-regjisrimit të automjeteve dhe të suspendojnë çdo veprim ndëshkues ndaj bartësve të targave KM derisa çështja të zgjidhet nga palët nëpërmjet dialogut.
“Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të Dialogut”.
“Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM). Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ASM duhet të krijohet, gjë që e bën themelimin e ASM-së obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës” thuhej më tej në përgjigjen e amerikanëve.
Amerikanët u kërkuan palëve që ta garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren.
“Është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet, të tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar”.
“Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar për të lehtësuar negociatat. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigje