Kurti reagon pas lirimit të Frashër Krasniqit dhe tjerëve nga akuzat për terrorizëm.
Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykim lirues ndaj Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, lidhur me akuzën për terrorizëm, duke e quajtur “vendim meritor”.
Ata akuzoheshin se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës, në gushtin e vitit 2016.
“Në gusht të vitit 2016 u arrestuan aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një sulm që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës. Ishte kjo ndër përpjekjet e mëdha për ta eliminuar Lëvizjen tonë nga skena politike. Sot, 6 vite më vonë aktivistët tanë shpallen të pafajshëm ndaj kësaj akuze. Ndonëse drejtësi e vonuar, megjithatë duhet përshëndetur për vendimin meritor final”, ka shkruar Kurti.
Ai ka kujtuar edhe Astrit Deharin, i cili ishte arrestuar për këtë rast, duke thënë se “përgjegjësit e rastit të Astrit Deharit duhet të japin llogari për arrestimin e një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik.”
“Por, ky rast nuk është thjesht drejtësi e vonuar, por edhe një jetë e humbur. Astrit Dehari, aktivisti ynë është marrë në burg për këtë akuzë dhe kur sot kjo akuzë bjen tërësisht, ai më nuk gjendet në mesin tonë. Nëse deri tash kemi bërë thirrje ‘’Drejtësi për Astritin’’ për të zbuluar tërësisht rastin, tash kjo thirrje bëhet edhe më e prerë. Përgjegjësit e rastit të Astrit Deharit duhet të japin llogari për arrestimin e një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik”, ka shkruar Kurti.
Në këtë proces gjyqësor, i cili ishte kthyer në rigjykim, Krasniqi, Batusha, Haliti dhe Arifi, akuzoheshin se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës në gushtin e vitit 2016, që është kualifikuar si vepër terroriste.
Sipas aktgjykimit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi lirohen nga aktakuza, pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.