Kryeministri Kurti: Sa më e dobët që është Serbia karshi Kosovës, aq më shumë po egërsohet

10:36 | 08 Shtator 2022

Kurti: Sa më e dobët që është Serbia karshi Kosovës, aq më shumë po egërsohet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sa më e dobët që është Serbia karshi Kosovës, ajo aq më shumë po egërsohet.

Kurti këtë deklaratë e ka bërë si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Serbisë që të intonohet himni serb në fillim të vitit shkollor në të gjitha shkollat në Serbi, përfshirë edhe ato shqipe në Luginë të Preshevës.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë veprimi demokratik e human. Përkundrazi, sa më e dobët që është Serbia karshi Kosovës, aq më shumë po egërsohet. Është një lloj agresiviteti i shtuar i Serbisë. Duhet kuptuar përbrenda dobësimit të saj në përgjithësi. Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik. Angazhohet për gjithë qytetarët pa dallim, por edhe për shqiptarët në Serbi. Shqiptarët që janë nën Serbi ata janë të diskriminuar, dëshmitar për këtë ishte edhe delegacioni ynë që vizitoi Luginën këtë javë”, u shpreh Kurti.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka publikuar dje në llogarinë e tij në Facebook vendimin e Qeverisë së Serbisë, për lëshimin e himnit serb në të gjitha shkollat e vendit, përfshirë edhe ato shqipe të Luginës, në fillim të vitit shkollor.

Arifi gjithashtu e ka ftuar për vizitë Kryeministrin Albin Kurti në një nga shkollat më të mëdha në Luginë, siç thotë ai “të njoftohet për së afërmi me ketë padrejtësi dhe njëmijë padrejtësi të tjera”.

Komento: