Kryeministri Kurti shkruan për mbledhjen e përbashkët, e veçon këtë projekt madhor

22:21 | 20 Qershor 2022

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar në Facebook për mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, që u mbajt sot në Prishtinë.

Nga marrëveshjet që u nënshkruan sot, Kurti e ka veçuar projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, duke thënë se është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme.

“Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme. Kjo hekurudhë do t’i bashkojë edhe më fortë ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona. Teksa qëndrojmë të përbashkuar, me marrëveshjet bilaterale që nënshkruajmë, ruajmë e avancojmë marrëdhëniet tona të afërta”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë arritur pajtueshmëri për 19 pika në sektorë të ndryshëm, në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta tradicionale që mbahen ndërmjet dy shteteve.

Mbledhja e së hënës shënoi takimin e tetë të tillë ndërmjet dy qeverive.

Marrëveshjet e memorandumet ndërqeveritare janë arritur në fushën e arsimit, doganave, energjisë, bujqësisë, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes e drejtësisë.

Në sektorin e arsimit është arritur marrëveshje për mundësi konkurrimi dhe vijim të studimeve në 19 universitete të të dyja shteteve, në kushte të barabarta.

Në takim, palët janë pajtuar për të punuar drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve, më pas për të krijuar një platformë të përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dyja vendeve.

Në sektorin e transportit është arritur marrëveshje për një studim fizibiliteti që i hap rrugën ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë, projekt që mëton të lehtësojë transportin e njerëzve dhe mallrave.

Postimi i plotë i Kurtit:

Mbledhjen e tetë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e mbajtëm në Prishtinë.

Aq sa na bashkon historia, gjuha e kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë. Bashkëpunim ky që lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë dhe që rritë besimin social ndërmjet qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Me këtë qëllim, në mbledhjen e sotme nënshkruam marrëveshje ndërqeveritare për arsim, drejtësi, mbrojtje, shëndetësi, energji, bujqësi, dogana, sigurime shoqërore, turizëm, rini, gjendje civile, lëvizje të lirë, transport e infrastrukturë rrugore.

Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme. Kjo hekurudhë do t’i bashkojë edhe më fortë ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona. Teksa qëndrojmë të përbashkuar, me marrëveshjet bilaterale që nënshkruajmë, ruajmë e avancojmë marrëdhëniet tona të afërta.

Komento: