“Nuk është shkaktuar nga ne”, Kryeministri Kurti sot analizoi rritjen e çmimeve.
Kryeministri Albin Kurti ka folur sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës për ngritjen e çmimeve. Ai ka thënë se në fund të vitit të kaluar ishte kriza energjetike ajo që e nxiti ngritjen e çmimit të vajit, sheqerit, drithërave, mishit dhe produkteve të qumështit e këtë vit është lufta në Ukrainë dhe përballja e perëndimit demokratik të bashkuar kundër Rusisë despotike, ajo që po dikton rritjen e çmimit të naftës.
“Kujtojmë se Rusia është prej eksportuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit në tregun botëror. Energjia elektrike, që mundëson prodhimin dhe nafta që mundëson transportin e produkteve të prodhuara, njëra në fillim dhe tjetra në fund të zinxhirit të furnizimit me produktet që ne i konsumojmë, na e përcaktojnë në masë të konsiderueshme çmimet që i shohim nëpër raftet e marketeve tona” ka theksuar Kurti.
Më poshtë mund të lexoni thekse të fjalimit të Kryeministrit në mbledhjen e 67’të të Qeverisë së Kosovës
E di dhe e kuptoj shqetësimin e gjithsecilit prej jush, e që është gjithsecili prej nesh, për rritjen e çmimeve. Edhe pse kjo gjë nuk është shkaktuar nga ne, as si vend e as si qeveri, ajo megjithatë po na prekë edhe neve.
Kur para 13 ditëve iu bashkuam botës perëndimore për të vendosur sanksione kundër agresionit ushtarak dhe invazionit rus në Ukrainë, një kosto e tillë ishte e pashmangshme, mirëpo kjo është kostoja e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë. Sanksionet e vendosura kanë prekur çmimet në pothuajse të gjithë sektorët e tjerë.
E për fatin tonë të keq, ne kemi varësi ndaj importit si në energji elektrike, sepse nuk kemi kapacitete të mjaftueshme të gjenerimit, si në naftë, sepse nuk kemi burime të naftës, si në produkte që konsumojmë, sepse për shumë gjatë prodhimtaria vendore nuk është trajtuar me prioritet nga ata të tjerët, që dikur uleshin këtu në vend tonin.
Por, pavarësisht gjithë kësaj dhe në pamundësi për të ushtruar politika monetare, si qeveri jemi munduar vazhdimisht që ta zbusim ndikimin e kësaj situate, sidomos tek ata që janë më të cenueshëm. Sepse krizat na prekin të gjithëve, mirëpo jo të gjithëve njësoj. Në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar, e patëm dyfishuar shumën e asistencës sociale. Po e vazhdojmë përgjatë gjithë këtij viti mbështetjen shtesë për 26 mijë familje me asistencë sociale. Në muajin nëntor, po ashtu ua kemi ndarë një shtesë prej 100 euro 300 mijë pensionmarrësve. Pensionet bazike i rritëm për 11%, kurse për personat me aftësi të kufizuara për 33%. Rreth 12 mijë nëna të reja marrin shtesa për lehona dhe për fëmijët e tyre të porsalindur. Ndërkaq, kemi zotuar buxhet, që 600 mijë amvisëri të mbrohen nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Vetëm në katër muajt e fundit kemi ndarë 190 milionë euro si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve.