Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij ekipin e Kërkim-Shpëtimit të cilët operuan në Turqi pas katastrofës së tërmetit që kaploi vendin.
Shpëtimtarët nga Kosova kanë informuar Kurtin mbi eksperiencën e tyre të operimit në Hataya të Turqisë, ku ata ua shpëtuan jetën dy vajzave.
“Kryeministri Kurti përgëzoi ekipin për punën dhe suksesin e treguar gjatë operacionit në Turqi dhe i inkurajoi ata të vazhdojnë të kultivojnë frymën e vullnetarizmit, jo vetëm në organizatë por edhe në shoqëri”, bëhet e ditur në komunikatë për media.
Në këtë takim, Kryeministri Kurti u shoqërua nga Kolonel Ejup Maqedonci, oficer i FSK me përvojë të gjatë në fushën e kërkim shpëtimit.