Kryeministri Kurti thotë se sundimi i ligjit është duke u vendosur edhe në veri

12:50 | 20 Korrik 2022

Kurti: Sundimi i ligjit është duke u vendosur edhe në veri.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do të bëj subvencionimin për energjinë e shpenzuar në veri për dimrin që vjen, duke thënë se nuk mund të kemi përsërtije të çmimeve të energjisë, si në dhjetorin dhe janarin e vitit të kaluar.

“Nuk mund të pritet që Qeveria e Kosovës të bëj subvencionimin për energjinë e konsumuar në veri, e të papaguar atje në dimrin që vjen. Me çmimet që ishin në dhjetor dhe janar të vitit të kaluar, të gjithë e kanë të qartë që nuk mund të kemi përsëritje të njëjtë edhe në vitin që vjen. Por Brukseli e ka evidentuar që qasja destruktive e Serbisë është faktori e fajtori për moszbatimin e deritanishëm të udhërrëfyesit sipas orareve”, ka thënë Kurti para mediave.

“Presim reagimin e Brukselit, por pa dyshim se nuk mund të vazhdojmë me mënyra të vjetra, ne jemi konstruktiv e të përkushtuar, por qartazi Beogradi është në anën e kundërt të sjelljes sonë”, shtoi kryeministri.

I pyetur për paralajmërimet nga Beogradi se do të ketë destabilizim në veri, Kurti tha se ata të cilët kanë punuar e punojnë për strukturat, natyrisht se kanë interes destabilizimin.

“Ata që duan destabilizim, nuk e duan sundimin e ligjit, i cili është duke u vendosur edhe në veri, duke u luftuar korrupsioni, krimi e kontrabanda. Mirëpo, ata të cilët janë në listën e zezë të Thesarit Amerikan, kanë fletëarreste në Kosovë, ata të cilët kanë punuar e punojnë për strukturat natyrisht se kanë interes destabilizimin. Problemi është kur interesi i tyre gjen mbështetje në Beograd, dhe unë besoj se faktorët ndërkombëtar do të duhej të mbajnë shënim me shkronja të theksuara për këtë mbështetje politike që i vjen këtyre kriminelëve që duan destabilizim e Kosovës sepse e luftojnë shtetin e Kosovës”, përfundoi Kurti.

Komento: