Kurti vendos gurthemelet e ndërtimit të çerdhes në Rezinë dhe shkollës fillore në Ponoshec të Gjakovës.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vendosur gurthemelet për ndërtimin e çerdhes në lagjen Rezinë dhe shkollës fillore në Ponoshec të Gjakovës, të dyja këto investime të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Vlera financiare e ndërtimit të shkollës fillore në Ponoshec është 1.2 milion euro ndërsa e çerdhes në lagjen Rezinë është rreth 759 mijë euro, njofton Klankosova.tv.
“Edukimi parashkollor është vendimtar për suksesin e mëtutjeshëm në arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve” tha Kurti.
Objekti dykatësh, me gjithsej 1400 metra katror, është i planifikuar për 150 fëmijë. Ai do të këtë shtatë dhoma për qëndrim të fëmijëve, tri dhoma të gjumit për fëmijë, hapësirën për qëllime të ndryshme, kuzhinën, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratës dhe një hapësirë shtesë teknike.
Ndërkaq gjatë vendosjes së gurthemelit të shkollës në Ponoshec, Kurti tha se krahas dijes shkencore, shkolla ofron edhe edukimin vleror, që të bëhet pjesë formuese e fëmijëve tanë e shpresë për Republikën tonë. Ky është investimi më i mirë për ta dhe për të ardhmen e vendit tonë.
“Javën e kaluar e vendosëm gurthemelin për ndërtimin e çerdhes në Miresh të Gjilanit, ndërkaq sot, jemi në Ponoshec të Gjakovës, kaq afër Shqipërisë këtu. Po punojmë për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, çerdheve, adaptimin e hapësirave ekzistuese diku dhe për përmirësimin e kushteve e të mjeteve mësimore”, shtoi kryeministri.
Kjo shkollë, ka sipërfaqe 2.800 metra katror. Është projektuar në dy kate, me 8 klasë mësimi, një hapësirë ndihmëse për pushim për parashkollorët, kantinë me kuzhinë, dhomë të kompjuterëve, dhomë të leximit me bibliotekë, si dhe laboratorin e shkencave të natyrës me kabinet.
Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për projekte të reja sikurse ky. Deri në fund të vitit, çerdhet do të hapen edhe në Prizren e në Suharekë, ndërkaq, në vazhdën e këtyre punimeve për ndërtimin dhe adaptimin e hapësirave pritet të bëhen çerdhe edhe në Junik, Skenderaj, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Shtime dhe Malishevë.