Kryeministri me fjalë prekëse për Arianin, djalin e Nexhat Dacit

12:29 | 27 Janar 2019

Dje djali i Nexhat Dacit ndërroi jetë tragjikisht në Brezovicë.

Në mbledhjen komemorative e cila po mbahet për të nderuar jetën dhe veprën e ish-zv.ministrit të Diasporës, Arian Dacit i cili vdiq të shtunën si pasojë e një orteku në Brezovicë, po marrin pjesë figura të larta shtetërore.

Me këtë rast, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur Ariani kishte vlera të larta njerëzore dhe se ai i shërbeu Kosovës me devotshmëri.

“Qeveria ka humbur një zyrtar të zellshëm, Prishtina e humbi një djalë të ri një qytetarë shembullor. Ariani e ka dashur këtë vend dhe i ka shërbyer me devotshmëri. Shpirti i bardhë i Arianit u nda nga ne në bardhësinë e borës. Ai ishte i dalluar për vlera të larta njerëzore, i jemi përjetësisht mirënjohës për shërbimin ndaj atdheut, lamtumirë Arian”, ka thënë Haradinaj në fjalimin e tij.

Ngushëllime për vdekjen e Arian Dacit, kanë shprehur edhe Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, Ministri i Diasporës së Maqedonisë, Edmond Ademi.

Arian Daci, 40 vjeçar, djali i vetëm i Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka vdekur të shtunën në Brezovicë, pas një incidenti që kishte pasur me një ortek bore, gjatë skijimit atje.

Ariani ishte i apasionuar pas skijimit derisa ishte pjesë e organizimeve të tilla në këtë fushë. Daci ishte Zëvendësministër i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike derisa pas vetes ka lënë dy fëmijë.

Bashkë me Arianin në Brezovicë me rastin e aksidentit ishte me Ardian Bakallin, i cili ka shpëtuar. Për shkak të hetimeve që po zhvillohen në Brezovicë, për dy ditë, është mbyllur pista e skijimit.

Ndërkohë, ish-zëvendësministri i Diasporës, varroset sot në orën 13 në lagjen Arbëria, në Prishtinë, me nderime shtetërore.

Komento: