Ramush Haradinaj me premtim të ri për liberalizimin e vizave.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur përsëri optimist se liberalizimi i vizave nga ana e Bashkimit Evropian për kosovarët do të bëhet para fundit të këtij viti.
“Po flas me kompetencë të plotë. E kam çelë këtë temë me ministrin e Brendshëm të Francës, me kryeministrin. Edhe presidenti është në dijeni”, ka thënë ai në “Rubikon” të KTV’së.
“Kam folur me kryeministrin e Polonisë, me plot njerëz vendimmarrës. Askush nuk është kundër”, ka theksuar Haradinaj.
Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë se marrja e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën do të jetë çështje javësh, pas shtatorit.
“Është shumë reale, tash e tutje, prej shtatorit, çdo javë mund ta marrin atë vendim”, ka deklaruar Haradinaj.
“Nuk shtyhet. Nuk e mënjanojnë më shumë. I ka ardhur koha”, është shprehur ai.
“Besoj shumë që para fundit të vitit, po. Para 1 janarit të vitit që vjen është e kryer”, ka thënë Haradinaj.
“S’ka shkaqe procedurale që e vonojnë më shumë”, ka shtuar kryeministri i vendit.