Hoti i kontakton grupet parlamentare: Nuk duhet të hyhet në janar pa miratimin e buxhetit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka kontaktuar sot grupet parlamentare për diskutuar rreth çështjes së buxhetit të vitit 2021. Ai tha se aktualisht është në pritje të përgjigjes nga grupet parlamentare, ndërkohë që ai thekson se presin bashkëpunim nga të gjithë rreth kësaj çështjeje.
“Unë kam kontaktuar grupet parlamentare po pres sot përgjigje nëse ka gatishmëri për këtë çështje dhe besoj që gjatë ditës do të definohet kjo çështje”, ka thënë Hoti.
Në rast se do të ketë kërkesa për ndryshim të buxhetit në linjat e ndryshme, atëherë një gjë e tillë Hoti thotë se e mirëpret duke theksuar se buxheti është shteti e jo i qeverisë.
“Kemi qenë gjithmonë të hapur t’i konsiderojmë të gjitha kërkesat e grupeve parlamentare sepse buxheti nuk është i qeverisë, buxheti është i shtetit të Kosovës dhe duhet të adresojë gjitha nevojat që ka shtetit”, deklaroi Hoti.
Hoti është pyetur edhe se nga cilat grupe parlamentare pret më shumë bashkëpunim, me ç’rast ai tha se pret bashkëpunim nga të gjitha grupet parlamentare pa përjashtim.
Ai shtoi edhe se nuk duhet të hyhet në janar pa miratimin e buxhetit. Madje ai u bëri thirrje grupeve parlamentare që të shohin draft buxhetin i cili është në Kuvend e për të cilin mund të japin dhe sugjerime.
“Presim nga të gjitha grupet parlamentare pa asnjë përjashtim. Jemi në një situatë tani specifike, në pragë të zgjedhjeve, nuk është mirë të hyhet më në janar pa buxhet të miratuar. Një draf buxhet i përgatitur në mënyrë më të mirë mundshme është në Kuvend. Le të urdhërojnë grupet parlamentare nëse kanë sugjerime të ndryshme për të bërë ndryshime në atë draft buxhet dhe ta miratojnë”, deklaroi Hoti.
Këto komente Hoti i bëri gjatë vizitës që kishte në “Handikos”.