Kryeministri : Nëse Kosova do ta pranonte Asociacionin do të bëhej si Bosnja

15:47 | 11 Prill 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën greke “eKathimerini” se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe shkel “frymën dhe tekstin e Kushtetutës” dhe se kjo është diçka që ai e ka kundërshtuar edhe si opozitë.

Ai tha se këtë e kundërshtoi si opozitë dhe se gjatë seancave parlamentare hodhi gaz lotsjellës jo se ishte radikal, por shkaku i asaj që impononte marrëveshja e Brukselit.

“Kosova do të bëhej një Bosnjë e re, një shtet jofunksional. Gjykata Kushtetuese konstatoi se Bashkimi i Komunave me shumicë serbe shkel frymën dhe tekstin e kushtetutës. Në Kosovë nuk ka incidente mes shqiptarëve dhe serbëve, në Serbi është tjetër çështje”, tha Kurti për gazetën greke.

I pyetur nëse synimi i tij është bashkimi me Shqipërinë, Kurti tha se dëshiron lidhje të ngushta me Shqipërinë, por jo në dëm të minoriteteve.

“Unë nuk jam vetëm kryeministri i shqiptarëve, jam kryeministër i të gjithëve. Kushtetuta jonë nuk lejon bashkimin me shtetet e tjera dhe është e vështirë të ndryshohet. Kosova dhe Shqipëria janë një popull në dy shtete, nuk duhet të harrojmë se kufirin mes nesh e ka vendosur Serbia dhe Jugosllavia, nuk është i yni. Kur Serbia pushton Kosovën, ne reagojmë si popull shqiptar”, tha Kurti.

I pyetur pse flet për sulme kur përshtypja është se Serbia dëshiron të forcojë bashkëpunimin ekonomik me vendet e rajonit, ai tha se Serbia ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe se çdo ditë e krahason Kosovën me Krimenë.

Ai tha gjithashtu se është i shqetësuar për Ballkanin Perëndimor, i cili sipas tij mund të destabilizohet për shkak të luftës në Ukrainë.

“Mendoj se Kremlini sheh tre vende të mundshme ku mund të përshkallëzohen konfliktet – në Moldavi, Gjeorgji dhe Ballkanin Perëndimor, kryesisht në BeH, Kosovë dhe Mal të Zi. Në Ballkanin Perëndimor, ata mund ta bëjnë këtë përmes Serbisë, ndërsa në Gjeorgji dhe Moldavi, ata mund të angazhojnë forcat e tyre. Prandaj jam i shqetësuar për rajonin tonë dhe veçanërisht për Kosovën. Në vitin 2012 ka pasur dy aktivitete të përbashkëta ushtarake në mes të Rusisë dhe Serbisë”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu tha se Greqinë e konsideron partner si në BE ashtu edhe në NATO dhe se shpreson që Greqia ta njohë Kosovën.

“Nëse Greqia njeh Kosovën, atëherë njohjet do të pasohen edhe nga Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qipro”, tha Kurti.

Komento: