
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në vizitë zyrtare në Norvegji. Sot gjatë ditës u takua me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Støre.
Përveç të tjerash, në komunikatën e zyrës së kryeministrin norvegjez, shprehet zhgënjimi i tij që Kosova s’lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territoritn e saj.
“Kjo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet ekzistuese duhet të zbatohen dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet që ulin besimin mes tyre. Prandaj, shfrytëzova rastin gjatë takimit tonë për të shprehur zhgënjimin tim që Kosova nuk po lejonte që zgjedhjet serbe të 3 prillit të organizoheshin në të njëjtën mënyrë si zgjedhjet e mëparshme”, tha Støre.
Diskutimet mes dy kryeministrave u fokusuan në mbështetjen e Norvegjisë për Kosovën dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata gjithashtu diskutuan se si të forcohet bashkëpunimi në zhvillimin ekonomik dhe social.
“Ne nuk mund ta marrim si të mirëqenë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Çështjet e pazgjidhura që datojnë nga vitet 1990 mund t’i vënë sërish flakën rajonit”, tha kryeministri Støre.
Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë shprehur po ashtu shqetësimet e veta për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Propozimi i Quint-it ishte që zyrtarët ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë të përdoren si kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, për të përcjellë kërkesat e Serbisë tek autoritetet kosovare.
Lidhur me dështimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës në Beograd, më 22 mars. Në takim morën pjesë edhe gjyqtarë dhe zyrtarë policorë serbë që punojnë në institucionet e Kosovës.
Megjithatë, në kumtesën e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ajo se çka tha kryeministri norvegjez për zgjedhjer serbe nuk përmendet fare.