Çmimi i naftës dhe benzinës po vazhdon të jetë i lartë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po vazhdon të këmbëngul në uljen e çmimit të naftës në vend.
Për këtë, ai sot në mëngjes ka takuar kryetarin e Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjanin.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka njoftuar se në takim premtoi angazhim në zgjidhjen e shumë pengesave administrative, me të cilat po përballet ky treg.
Më poshtë postimi i Haradinajt:
Qeveria e Kosovës me vëmendje po e përcjellë gjendjen në tregun e naftës dhe do të bashkëpunojë ngusht me mekanizmat që e rregullojnë këtë sektor.
Në takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Naftëtarëve kam shprehur interesimin institucional për çmimin e naftës dhe derivateve të saj në tregun e Kosovës.
Pasi dëgjova edhe qëndrimin e tyre, premtova për angazhimin tim për zgjidhjen e shumë pengesave administrative me të cilat po përballet ky treg, siç janë mungesa e ligjit për naftën dhe e depove doganore, si dhe taksa për kyçjen në rrugë, të cilat e rrisin koston e importuesve dhe rrjedhimisht edhe çmimin në treg.
Duke respektuar tregun e lirë, kam insistuar në kujdes ndaj qytetarëve të vendit.