Ramush Haradinaj ka thënë se Washingtoni, Berlini, Parisi e BE-ja gabojnë nëse e pranojnë kushtin e Serbisë për taksën.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, teksa ka folur për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ka thënë se Uashingtoni, Parisi, Berlini dhe BE-ja, gabojnë nëse e pranojnë kushtin e Serbisë për heqje të taksës ndaj produkteve serbe.
Këto deklarime kreu i qeverisë i ka bërë në tryezën e organizuar nga KDI, e ku është diskutuar për “ Dialogu Kosovë-Serbi pas takimit të Berlinit”.
“Është gabim pozicioni, edhe i Uashingtonit, edhe i evropianëve, edhe i Berlinit, edhe i Parisit, t’ia pranojnë kushtin Serbisë, heqjen e tarifës, për të vazhduar dialogun”, ka thënë Haradinaj.
Ai ndër të tjera ka përmendur edhe faktin që në përvjetorin e masakrës së Mejës, i është dashur që të shkojë në Berlin e t’i ulet përballë presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiqit, për të dialoguar me të.
Haradinaj ka thënë se Kosova është për zgjidhje, dhe për t’u marrë vesh, për një marrëveshje të paqes, por së pari duhet të dihet e vërteta, duke numëruar nja varg çështjesh dhe pengesash nga ana e Serbisë, në mos realizimin e marrëveshjeve të arritura, kryeministri theksoi se ka 20 vjet që Kosova humb rreth 50 milionë euro në vit në energji, që është rreth 1 miliard euro deri më tani për shkak të Serbisë, humben edhe miliona euro për shkak të hapësirës së lartë dhe të ulët, BE-ja humb mjete financiare sepse nuk po zbatohet IBM dhe lista është e gjatë.
Kryeministri ka thënë se tashmë janë fqinj tanimë, kosovarët dhe serbët, që do të jenë këtu gjithmonë për njëri-tjetrin.
“Dy fqinj mund të zgjedhin se a do të jetojnë në telashe apo paqe dhe e vërteta është që e kaluara është telashe, që nënkupton tragjedi, dhimbje, por a ka ndonjë brez që dëshiron ta ndërron këtë, ky është vendim i atyre që udhëheqin popullin në të dyja anët”, tha kryeministri Haradinaj, duke besuar se Kosova është e interesuar për paqe, për të kaluar në ardhmëri, duke mos harruar të kaluarën.
Serbia është duke e kushtëzauar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës, ndërsa Haradinaj ka thënë se një vendim i tillë nuk merret pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës.