Kryeministri u tregon amerikanëve për sjelljet e Serbisë në dialog

19:56 | 10 Maj 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Shefin e tij të Stafit, Luan Dalipi, ka pritur të mërkurën një delegacion të gjerë të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë.

Ky takim ishte një mundësi për Kurtin që të diskutojë me amerikanët lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, me ç’rast i ka njoftuar lidhur me “sjelljen dhe veprimet e Serbisë karshi tyre”.

“Në takim, kryeministri Kurti gjithashtu i përditësoi anëtarët e delegacionit vizitues me zhvillimet e fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me dakordimin mbi Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit, sjelljen dhe veprimet e Serbisë karshi tyre dhe me qëndrimet dhe propozimet e Republikës së Kosovës në takimin e javës së kaluar në Bruksel”, bën të ditur qeveria përmes një komunikate.

Kryeministri ka diskutuar me ta edhe për marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-të.

“Para ambasadorëve dhe mysafirëve të tyre, kryeministri Kurti tha se ShBA-të janë partner, mik dhe aleat kyç i Republikës sonë. Ai i njoftoi ata për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet dy vendeve, duke veçuar këtu marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarë me MCC-në të nënshkruar në vitin e kaluar, dhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë”.

Ndryshe, Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është shoqatë e ambasadorëve amerikanë me gjithsej 200 anëtarë, të cilët së bashku kanë shërbyer për mbi gjashtë dekada dhe për njëmbëdhjetë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Shefin e tij të Stafit, Luan Dalipi, priti një delegacion të gjerë të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë.

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është shoqatë e ambasadorëve amerikanë me gjithsej 200 anëtarë, të cilët së bashku kanë shërbyer për mbi gjashtë dekada dhe për njëmbëdhjetë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Marrëdhëniet Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtrihen në sferën historike, ekonomike, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Para ambasadorëve dhe mysafirëve të tyre, kryeministri Kurti tha se ShBA-të janë partner, mik dhe aleat kyç i Republikës sonë. Ai i njoftoi ata për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet dy vendeve, duke veçuar këtu marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarë me MCC-në të nënshkruar në vitin e kaluar, dhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

Më tej, gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti po ashtu veçoi katër fushat të cilat janë trajtuar me prioritet në buxhetin e vitit 2023; mbrojta, edukimi, bujqësia dhe shëndetësia, teksa iu përgjigj interesimit të ambasadorëve për to.

Ambasadorët e përgëzuan kryeministrin dhe Kosovën për arritjet. Në mesin e tyre, ish-ambasadori amerikan Thomas Riley tha se i vjen shumë mirë që qeveria jo vetëm që po përpiqet, por edhe po ka sukses.

Në takim, kryeministri Kurti gjithashtu i përditësoi anëtarët e delegacionit vizitues me zhvillimet e fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me dakordimin mbi Marrëveshjen Bazë dhe planin e zbatimit, sjelljen dhe veprimet e Serbisë karshi tyre dhe me qëndrimet dhe propozimet e Republikës së Kosovës në takimin e javës së kaluar në Bruksel.

Kjo vizitë e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, është organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, përfaqësues të së cilit ishin po ashtu prezent në këtë takim.

Komento: