Kryeministri urdhëron hetime rreth dështimit të strategjisë për koronavirusin

15:39 | 07 July 2020

Kryeministri ka urdhëruar hetime rreth dështimit të strategjisë për koronavirusin.

Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, ka dhënë urdhër për fillimin e hetimeve rreth vendimit të këtij shteti për të mos vendosur masa izoluese gjatë pandemisë pas regjistrimit të mijëra viktimave më shumë sesa vendet fqinje.

“Kemi mijëra të vdekur”, tha kryeministri Lofven gjatë një konference për gazetarë javën e kaluar, duke pranuar se menaxhimi i situatës së pandemisë i ka vënë në pah mangësitë e Suedisë, shkruan “Business Insider”.
“Tani pyetja është se si duhet të ndryshojë Suedia, jo nëse (duhet të ndryshojë apo jo)”, shtoi ai.

Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, përfshirë shtetet fqinje, Suedia nuk ka zbatuar masa të rrepta të izolimit për ta luftuar pandeminë. Në vend të kësaj, shteti skandinav i ka lejuar bizneset të qëndrojnë të hapura dhe nxënësit të shkojnë në shkollë.

Në maj, epidemiologu shtetëror, Anders Tegnell, e justifikoi këtë menaxhim duke thënë se shtetet që kanë vendosur izolim të rreptë kanë gjasa të pësojnë valë të madhe të përhapjes më vonë gjatë vitit, ndërsa rastet në Suedi do të jenë më të pakta.

“Në vjeshtë do të jetë një valë e dytë. Suedia do të ketë një nivel të lartë të imunitetit dhe numri i rasteve do të jetë ndoshta goxha i ulët”, kishte deklaruar ai.

Megjithatë, duket se strategjia e epidemiologut ka dështuar pasi të dhënat e fundit tregojnë se virusi është përhapur më shpejt që nga deklarata e Tegnellit dy muaj më parë, ndërsa është shënuar dështim për nxitjen e prodhimit të antitrupave të mjaftueshëm në komunitet për parandalimin e valës së dytë.

Sipas një studimi të publikuar në maj, vetëm një numër i vogël i njerëzve apo 7.3 për qind kanë zhvilluar antitrupa të koronavirusit, duke hedhur dyshime për atë nëse Suedia do të mund ta arrinte imunitetin e tufës në të ardhmen e afërt.

Komento: