Zyra e Kryeministrit i konsideron “sprova e testime” propozimet për marrëveshje nga Gjermania e Franca.
Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje lidhur me takimin e Kryeministrit Albin Kurti me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që u mbajt sot.
Në njoftimin e ZKM’së të publikuar në faqen zyrtare, thuhet se Kurti e Haradinaj kanë folur për procesin e dialogut, idetë, modelet dhe opsionet për elementet kryesore të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Propozimet që po vijnë nga Gjermania e Franca për këtë marrëveshje, ZKM’ja i ka quajtur “sprova e testime”.
“Në këtë takim përmbajtësor në të cilin Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendës-kryeministri i parë, Besnik Bislimi, u diskutua për procesin e dialogut, idetë, modelet dhe opsionet për elementet kryesore të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat po qarkullojnë nga e nëpër kancelaritë perëndimore e demokratike, e që në këtë periudhë funksionojnë si sprova dhe testime”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.
Në fund thuhet se Kurti e ka falenderuar Haradinajn për interesimin e vazhdueshëm dhe të qenurit aktiv për këtë çështje.
Edhe Haradinaj ka folur pas takimit. Ai ka thënë se në këtë takim me kryeministrin Albin Kurti kanë diskutuar për përmbajtjen e një marrëveshje potenciale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Diskutuam procesin dhe marrëveshjen vetë, diskutuam sfidat. Ishte një takim me përmbajtje sepse kemi diskutuar përmbajtjen e një marrëveshje potenciale Kosovë-Serbi”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se kanë diskutuar në detaje për këtë marrëveshje potenciale.
“Në diskutim për krejt nenet e marrëveshjes. Preambulën për nenet. Kemi provuar të japim kontributin tonë si AAK që Kosova të arrijë sukses. Besoj se duhet të vazhdojmë më tutje me aleatët tonë, Amerikën dhe evropianët”, ka thënë Haradinaj.
Ai në fund ka thënë se marrëveshja duhet të ketë edhe vulën e SHBA-së.
“Ajo që besoj që është e rëndësishme, duke ta ketë edhe vulën e Amerikës”, ka thënë Haradinaj.