Detaje nga takimi Kurti-Chollet: U diskutua për dialogun, planin evropian dhe raportet mes Kosovës e Serbisë.
Kryeministri Albin Kurti priti këtë të mërkurën në ndërtesën e Qeverisë, Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili po qëndron në Kosovë në kuadër vizitës së tij në rajon.
Zyra e Kryeministrit njofton se në këtë takim u diskutua për procesin e dialogut, planin evropian dhe raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, bëhet e ditur se Kurti e njoftoi Chollet me punën e qeverisë në vitin që sapo lamë pas.
“Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim. Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO”, thuhet më tej në njoftim.
Në takim z. Chollet ishte i shoqëruar nga dërguari i posaçëm amerikan, Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtës për Politika Evropiane dhe NATO, Spencer Boyer, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Shefja e Stafit të Këshilltarit Chollet, Laura Updegrove, Ndihmësja e posaçme e Këshilltarit, Dr. Florence Akinyemi dhe Këshilltarja e Politike dhe Ekonomike në Ambasadën amerikane në Kosovë, Ralan Hill.
Kurse, Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ushtruesja e Detyrës së Kryesueses së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, Këshilltari Politik i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.