Rusia po vazhdon luftën ndaj Ukrainës.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin nuk duhet ta fitojë luftën në Ukrainë. “Putin nuk duhet ta fitojë këtë luftë”, ka thënë ajo, duke shtuar: “është zemërthyese të shohësh se çfarë po bën Rusia në Ukrainë”.
“Po përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur dhe ndihmuar Ukrainën që ta fitojë këtë luftë”, ka thënë Kallais në një intervistë për CNN.
Në prag të Samitit të NATO-s, që mbahet javën e ardhshme, Kallais ka thënë se strategjia e NATO-s duhet të fokusohet në përfundimin e kësaj lufte përmes një “frenimi të mençur” të saj, duke thënë se nga “pozicioni i parandalimit”, Aleanca duhet të lëviz në “pozicionin e mbrojtjes”.
Sipas saj, NATO duhet të forcojë kapacitetet mbrojtëse të secilit shtet anëtar dhe të tërësisë së saj.
“Disa kapacitete janë shumë të shtrenjta për disa shtete, por nëse punojmë së bashku këtu në Evropë për të mbrojtur territoret tona, do të bëhemi më të fortë”, ka thënë ajo.
Ajo ka propozuar që të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, të punojnë së bashku për ta izoluar Rusinë në të gjitha nivelet e mundshme politike.
Kallais ka thënë se Estonia nuk sheh rrezik nga një Luftë e Tretë Botërore dhe sipas saj, përpjekjet që duhet të bëhen, janë për përfundimin e saj. Ajo ka thënë që Putin po ushqen të djathtën në Evropë dhe SHBA, duke krijuar një krizë të re refugjatësh.
“Armiku është Rusia, jo refugjatët”, ka theksuar ajo.