Kryeministrja italiane: S’do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it

20:51 | 29 Maj 2023

“Është thelbësore të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga autoritetet kosovare dhe që të gjitha palët e përfshira të bëjnë menjëherë një hap prapa, duke kontribuar në zbutjen e tensioneve”.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka dënuar sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës.

Ajo po ashtu ka kërkuar që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga autoritetet kosovare dhe që të gjitha palët e përfshira të bëjnë menjëherë një hap prapa, duke kontribuar në zbutjen e tensioneve.

“Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë shpreh ndjenjat e mia më të sinqerta të afërsisë me ushtarët italianë të plagosur gjatë trazirave në Kosovë. Shpreh gjithashtu dënimin tim më të fortë për sulmin që u bë kundër misionit të KFOR-it, ku përfshiheshin edhe ushtarë nga kombet e tjera”.

Sipas saj, kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme.

“Ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it. Është thelbësore të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga autoritetet kosovare dhe që të gjitha palët e përfshira të bëjnë menjëherë një hap prapa, duke kontribuar në zbutjen e tensioneve”.

Tutje, ajo shton se angazhimi i qeverisë italiane për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është maksimal dhe se do të vazhdojë të punojë me aleatët.

“Konfirmoj afërsinë time me ushtrinë italiane dhe mirënjohjen e fortë të qeverisë për profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe shpirtin e lavdërueshëm të shërbimit që ata tregojnë në të gjitha rrethanat”.

Komento: