
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka deklaruar se e ka ngritur zyrtarisht te i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, çështjen e deklaratës së një ministre serbe, të cilën e ka cilësuar si mbështetje të hapur për spastrimin etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Snezhana Paunoviq, në një intervistë për televizionin serb Kurir, tha, mes tjerash, se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit – ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës – “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998″.
Ndërkaq, përmes një postimi në rrjetin social “X”, Agron Bajrami tha se deklarata e ministres serbe pasqyron atë që, sipas tij, mendon edhe presidenti i Serbisë, duke shtuar se dallimi është se ministrja “thjesht nuk duhej ta kishte thënë me zë të lartë”, ndërsa presidenti tani, sipas tij, po përpiqet të minimizojë pasojat.
Ai vlerësoi se deklarata dhe sjellje të tilla nga zyrtarët serbë përbëjnë shkelje të qartë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023.
Sipas Bajramit, preambula e marrëveshjes i obligon palët të “kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës” dhe njeh se paprekshmëria e kufijve, si dhe respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, janë kushte themelore për paqe.
“Distancimi i Serbisë është thjesht premtim bosh – jo pendim i sinqertë apo refuzim i krimeve të epokës së Millosheviqit”- ka shkruar ndër të tjera Bajrami më 16.07.2026.
Bajrami theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por vetëm nëse respektohen në mënyrë të vazhdueshme parimet themelore të tij.
“Çfarë vlere ka të flasësh për zbatim kur Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjet me fjalë dhe vepra?”- përfundoi ai në reagimin e tij.
Kosova ka paditur Paunoviqin pas deklaratës për “spastrimin etnik”.
Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës ka shpallur person të padëshirueshëm (non grata) ministren Paunoviq, duke i ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.
Në arsyetimin e Ministrisë thuhet se Paunoviq përmes deklaratave të saj publike në mënyrë të vazhdueshme ka shfaqur qëndrime që synojnë të cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se Paunoviq ka rikonfirmuar se Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë nga projekti i spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.
Sipas Sveçlës, një politikë e tillë ishte tentuar edhe nga ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, të cilin ai e cilësoi si “kasapi i Ballkanit”.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Paunoviqit.
Gërvalla ka thënë se ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit.