Kryeparlamentari Konjufca nuk e sheh të mundshme një marrëveshje të shpejt Kosovë -Serbi

14:31 | 24 October 2022

Konjufca nuk e sheh të mundshme një marrëveshje të shpejt Kosovë -Serbi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk beson që do të arrihet një marrëveshje për normalizim raportesh mes Kosovës dhe Serbisë, sepse qasja e shtetit serb është në ruajtjen e marrëdhënieve me Rusinë.

Konjufca, duke folur në Forumin që po organizohet në Prishtinë “Gjepolitika e re pas agresionit rus në Ukrainë: Implikimet për Ballkanin Perëndimor”, deklaroi se ai personalisht s’është optimist.

“Nuk jam optimist në arritje të një marrëveshje të shpejtë me Serbinë”, pohoi Konjufca.

Ai shtoi se sikur diçka e tillë të ndodhte, pra sikur Serbia ta njihte Kosovën, do t’i shërbente jo vetëm rajonit, por gjithë Evropës.

“Sepse besoj që një njohje e Kosovës nga Serbia është e mirë për gjithë Evropën, pasi do të mbyllte disa çështje shumë të rëndësishme”.

Bindjet përse Konjufca s’ka shpresë për një marrëveshje, atij iu forcuan edhe më shumë kur pa përbërjen e re të kabinetit qeveritar në Serbi dhe pozicionimin e politikanëve pro-rus si Aleksandër Vulin.

“E gjithë struktura e rëndësishme e Serbisë, inteligjenca, ushtria, policia, dhe politika e brendshme është e udhëhequr nga personalitete që hapur thonë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Rusinë”, pohoi Konjufca.

“Vulin për shembull që tani udhëheqë me inteligjencën, pastaj Ivica Daçiç që është rikthyer si udhëheqës i politikës së jashtme dhe vetë Vuçiç tashmë”.

Ata, shtoi Konjufca, tashmë “kanë treguar se çfarë rruge duan të ndjekin”.

Deklarimet e Konjufcës, vijnë në një kohë kur liderët në Kosovë dhe ata në Serbi janë prezantuar me një propozim ndërkombëtar për zgjidhjen e problemit mes dy shteteve dhe normalizimin e raporteve.

Pjesë e Forumit është edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e cila në fjalën e saj deklaroi se megjithëse ajo është kritike e madhe e Vuçiç-it, “nuk do të ngutesha e ta krahasoja atë me Putinin”.

“Ai ka interesa të tjera, e vërtetë, me të cilat totalisht nuk pajtona, por gjithashtu është për një bashkëpunim dhe e di se zgjidhja vjen përmes dialogut”, tha Cramon, duke iu referuar deklarimit paraprak të Konjufcës.

“Prandaj nuk do të ngutesha me atë konstatim dhe t’i bëja të dy të njëjtë”.

Komento: