Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka pritur në takim kryeshefen Ekzekutive të MCC-së, Alice Albright.
Në komunikatë thuhet se “Kryetari Konjufca dhe Kryeshefja e MCC-së u pajtuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”.
Në takim morën pjesë edhe Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Sarah Olmstead, Drejtoreshë e MCC për Kosovë, Caitlin Reichart, Zv.Drejtoreshë, Jonathan Brooks, Zv.President për Evropë dhe Dan Petrie, Shef i stafit të Alice Albright.
Komunikata e plotë:
Kryetari Glauk Konjufca priti në takim Kryeshefen Ekzekutive të MCC-së, Alice Albright
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Kryeshefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, Alice Albright.
Me këtë rast, kryetari Konjufca e ka falënderuar znj.Albright, MCC-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për programin “Kompakt” që parasheh ndihmën mbi 200 milionë dollarëshe për ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë në Kosovë, duke e cilësuar si projektin më të madh energjetik që nga paslufta.
Në këto kohë të vështira, kur kriza energjetike si rezultat i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia po përdoret si mjet për të kërcënuar stabilitetin në Evropë dhe më gjerë, miq të dëshmuar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në krah të Kosovës. Projektet e MCC-së do të ndikojnë në pavarësinë energjetike të Kosovës, do të diversifikojnë burimet energjetike dhe do të mbështesin avancimin e grave në sektorin e energjisë, theksoi kryetari Konjufca.
Kryetari i Kuvendit po ashtu i siguroi drejtuesit e MCC-së se institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë Kuvendin, kanë qenë dhe do të jenë miq të MCC-së dhe gjithëherë do t’i mirëpresin projektet që ata i realizojnë në shtetin tonë.
Në anën tjetër, znj.Albright përshëndeti gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për të bashkëpunuar me MCC-në. Ajo vlerësoi punën e mirë që ka bërë Kuvendi i Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar sa më ngushtë në ndryshimet e nevojshme legjislative për zbatimin e projekteve të MCC-së.
Kryetari Konjufca dhe Kryeshefja e MCC-së u pajtuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Në takim morën pjesë edhe Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Sarah Olmstead, Drejtoreshë e MCC për Kosovë, Caitlin Reichart, Zv.Drejtoreshë, Jonathan Brooks, Zv.President për Evropë dhe Dan Petrie, Shef i stafit të Alice Albright.