Kryeparlamentari Veseli do t’i takojë në zyrën e tij Ambasadorin Amerikan dhe Kryeministrin

21:24 | 16 Janar 2019

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se Kryeparlamentari Kadri Veseli do t’i takojë në zyrën e tij Ambasadorin Amerikan, Philip Kosnett dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, për të diskutuar lidhur me taksën.

Takimi, siç ka thënë ai, do të mbahet javën tjetër.

“Ajo çfarë është e rëndësishme tani ka të bëjë me vlerësimin nëse kjo taksë ka ndikim në politikën amerikane në Kosovë. Për këtë arsye, Kryeparlamentari Kadri Veseli është duke u marrë me këtë çështje dhe javën që vjen mund të ketë një takim edhe me Ambasadorin Amerikan dhe Kryeministrin Haradinaj”, është shprehur Ismaili për Emisionin “Monitor” të RTK-së.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj që menjëherë ta heqë ose pezullojë taksën 100 % të vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, si dhe për të vazhduar me Dialogun Kosovë-Serbi.

Ismaili, po ashtu, ka thënë se duhet gjithnjë të shihet se interesat amerikane në rajon janë interesa të Kosovës.

“Interesat e Kosovës në këtë rast duhet t’i harmonizojmë me interesat amerikane, sepse në të kundërtën rrezikimi i interesave amerikane në Kosovë mund të jetë rrezikim edhe i vetë shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.

Komento: