Lumezi ka një kërkesë për Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, kanë zhvilluar një vizitë pune në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me ç’rast kanë takuar u.d Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore, Kujtim Munishi dhe prokurorët e Departamentit të Krimeve të Rënda dhe Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në këtë prokurori.
Lumezi, ka kërkuar nga u.d Kryeprokurori dhe të gjithë prokurorët e kësaj prokurorie përkushtim dhe efikasitet më të madh në trajtimin e lëndëve që ndërlidhen me korrupsionin, krimet ekonomike, krimet financiare, si dhe luftimin e të gjitha veprimtarive të tjera kriminale të cilat janë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi ka potencuar nevojën e avancimit të profesionalizmit, llogaridhënies dhe efikasitetit të prokurorëve në trajtimin e rasteve të ndryshme penale, si dhe ka kërkuar rol më aktiv nga u.d Kryeprokurori në mbikëqyrjen e punës së prokurorëve.
Në anën tjetër, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka pohuar se do të jetë në shërbim të plotë për të ofruar mbështetjen e nevojshme për çdo prokurorë, në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive përkatëse.
Në fund, të dy bartësit e sistemit prokurorial kanë ofruar bashkëpunim dhe përkrahje për u.d Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të gjithë prokurorët dhe stafin mbështetës në kryerjen e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, si dhe janë zotuar se do të angazhohen në plotësimin e të gjitha nevojave të kësaj prokurorie.