Kryeprokurori Lumezi: Nuk i kemi marrë ende incizimet, por kemi filluar hetimet

21:51 | 05 Gusht 2021

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, është deklaruar lidhur me audio-incizimet të cilat janë publikuar në një portal, ku janë të përfshirë njerëzit e sistemit të inteligjencës dhe drejtësisë së vendit.

Përmes një lidhje telefonike në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Lumezi ka thënë se Prokuroria ende nuk ka marrë incizimet, por kanë filluar hetimet lidhur me rastin, ndonëse nuk kanë dalë me një prononcim publik.

“Është e vërtetë që ende nuk i kemi marrë, por ne nesër do t’i kërkojmë dhe do t’i shqyrtojmë për të vërtetuar se a ka ndonjë element të veprës penale.”, ka thënë Lumezi.

Ai po ashtu ka konfirmuar se personi që ka incizuar në mënyrë të paautorizuar njerëzit e sistemit të inteligjencës dhe drejtësisë së vendit, është Halit Sahitaj dhe e pranon se ka biseduar me të pasi ia ka kërkuar gjyqtari, Driton Muharremi.

“Kam pranu me folë me të se ma ka kërku Dritoni që të interesohem lidhur me veturën. Por qëllimi i tij nuk ka qenë tek vetura. Por diku tjetër. Unë nuk e di ku ka qenë qëllimi i tij. Mundeni me pytë z.Sahitaj.”, ka deklaruar kryeprokurori Lumezi.

Komento: