Prishtina ndez dritat e Sahat Kullës.
Sonte është bërë ndriçimi i Sahat Kullës në Prishtinë si pjesë e projekteve të përbashkëta ndërmjet Komunës dhe UNDP-së për ruajtjen dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka falënderuar BE-në dhe UNDP-në për bashkëfinancimin e këtij projekti.
“Është një monument i trashëgimisë tonë kulturore, arkitektonike dhe historisë së kryeqytetit. Është një projekt i rëndësisë shumë të madhe ku e falënderoj BE-në për ndihmë në bashkëfinancim. Investitori më i madh ka qenë komuna e Prishtinës së bashku me BE ndërsa UNDP na ka ndihmuar ta realizojnë këtë projekt me rëndësi shumë të madhe për kryeqytetin. Ne sot kemi fillimin e një transformimi të mirëfilltë të Prishtinës ku shihet se ne e çmojmë trashëgiminë kulturore, historinë tonë. Është kjo për qytetarët e Prishtinës, por jo vetëm, edhe për vizitorët që vijnë dhe e kuptojnë më shumë për kulturën, traditën dhe historinë tonë”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se projekte të ngjashme do të ketë edhe në të ardhmen si pjesë e një bashkëpunimi të mirëfilltë të institucioneve të kryeqytetit me BE dhe UNDP.