Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka filluar vizitat nëpër regjione, duke nisur me Gjilanin, ku pa për së afërmi aktivitetet e punës që po bëhen në këtë pikë të shitjes.
Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës kishte kënaqësinë që sot të takohet me Menaxherin Rajonal të Shitjes, Ilir Halilin dhe kolegët e tjerë të Telekomit të Kosovës në Gjilan, me të cilët diskutuan për ecurinë e shitjes së produkteve të reja në treg si dhe investimet në projekte të reja.
Produktet e reja, të cilat janë të shumta, e sidomos pakot e fundit promocionale të kombinuara të telefonisë fikse, internetit dhe TV-së, janë të disponueshme për të gjithë konsumatorët me çmime tejet të ulëta duke rritur numrin e përgjithshëm të konsumatorëve të rinj në vendbanime të ndryshme të territorit të Kosovës.
“Jam këtu sot për ta inkurajuar secilin prej jush se me këtë përkushtim të treguar, për punët teknike që janë duke u kryer në terren si dhe me tërheqjen e bizneseve dhe institucioneve publike dhe arsimore të kësaj komune në VALA, se Telekomi ka të ardhme dhe këto sfida do të tejkalohen”, deklaroi Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.
Gjatë diskutimit, Kryeshefi Ekzekutiv, i siguroi të gjithë punonjësit në Gjilan se do të kenë përkrahjen e tij të plotë për t’u përballur me të gjitha problemet dhe vështirësitë që mund të kenë, gjatë kryerjes së punëve të përditshme, me interes të përbashkët për kompaninë dhe për realizimin e strategjisë zhvillimore të Telekomit të Kosovës.
Telekomi i Kosovës/Vala vazhdimisht ka hedhur në treg produkte tejet atraktive, siç janë pakot familjare Prepaid, pakot e kombinuara FOL, pakot individuale Postpaid, pakot e internetit, etj., duke targetuar kësisoj të gjitha grupmoshat e shoqërisë.