Krasniqi e pranon se KEK-u ka blerë rrymë nga GEN-i, nuk dëshiron ta komentoj rastin e Martin Berishajt.
Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka pranuar se rrymë është blerë edhe nga kompania GEN që ka pika të saj në disa shtete të Ballkanit, por ka degën kryesore në Slloveni. Krasniqi nuk dëshiron të komentojë rastin e ambasadorit Martin Berishaj, emri i të cilit u përmend në një skandal financiar në Slloveni.
“Ne kemi blerë energji nga tregtarët që janë ofruar. Nuk mund të vendosim se cila do të afrohet. GEN ka bërë disa herë oferta dhe ajo ka pika të ndryshme. Ajo ka fituar disa herë në ankande. Në Tiranë, Beograd etj.. tash nga cila pikë ofrojnë ne nuk mund t’ua diktojmë. Ne blejmë energji nga ato kompani të licencuara në Federatën Europiane”, tha Krasniqi në RTK.
“Nuk mund të komentoj rastin Berishaj apo ndërlidhjet tjera. Nuk e di dhe nuk është puna jonë ta dimë. Puna jonë është të kryejmë mbulimin me furnizimin të energjisë, e kur ka nevojë importojmë nga komani të licencuara edhe nga ZRRE-ja tek e fundit”, shtoi ai.
Ish-anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes që u emërua ambasador i Kosovës në Zagreb vitin e kaluar është implikuar në një skandal të madh financiar për të cilin ka raportuar mediumi slloven Planet Tv. Berishaj ka shtetësi sllovene dhe para dekretimit si ambasador në Kroaci atij i është dhënë shtetësia e Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani. Berishaj mori detyrën e ambasadorit në dhjetor të vitit të kaluar.
Ambasadori Berishaj po dyshohet se është i përfshirë në një skandal financiar për shpëlarje parash në Slloveni. Në një postim të shkurtë në Facebook, Berishaj i ka mohuar të gjitha akuzat. Ambasadori i Kosovës në Kroaci dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
Paparakisht, mjetet financiare, kompania MB Consulting, në pronësi të Berishajt, i kishte pranuar nga kompania GEN.